Sekretari i Përgjithshëm, njëherazi dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka reaguar të hënën mbi zgjedhjet europiane të përfunduara në 28-të vendet anëtare të Bashkimit Europian. Sipas tij, ka një rritje të besimit te projekti Europian, pavarësisht rritjes të euroskepticizmit dhe populizmit.

“Zgjedhjet Europiane të përfunduara dje në të 28-të vendet anëtare të BE ishin dëshmi e rëndësisë që projekti Europian vazhdon të gëzojë tek qytetarët europianë. Rritja e pjesëmarrjes, më e larta e këtyre dy dekadave të fundit, është provë e qartë e shpresës dhe besimit në projektin europian, pavarësisht rritjes në mënyrë të ndjeshme të euroskepticizmit dhe populizmit”, thekson Balla.

“Rezultatet e zgjedhjeve konfirmuan si fituese nevojën për një qasje tërësisht proaktive në mbrojtje të mjedisit, forcimit të demokracisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, në respekt të plotë të të drejtave të njeriut”, vijon Balla.

“Qytetarët e BE i dhanë partive proeuropiane një shumicë të cilësuar krahasuar me euroskeptikët. Kjo na bën të ndihemi të bindur se Parlamenti i ri Europian do të ruajë të njëjtën mbështetje dhe qasje pozitive në 5-vjeçarin e ardhshëm vis-à-vis politikës së zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor”, shton Balla.

“Si Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri mezi pres të vijojmë punën me kolegët e Parlamentit Europian të rizgjedhur, apo të zgjedhur për herë të parë, duke e konsideruar së bashku vitin 2019, vitin historik të fillimit të bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe BE-së”, tha Balla.

“Zgjedhjet e 30 Qershorit në Shqipëri, edhe pse vendore, do të jenë gjithashtu një hap i rëndësishëm në rrugën e forcimit dhe respektimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor”, përfundon Balla.

/a.rada

Burimi: www.alboz.net

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here